Secondary Adv

Rama: Do të rishikojmë ligjin për arsimin e lartë, kampus studentor në Tiranë dhe Durrës

Kryeministri paralajmëron korrektime në ligjin e arsimit të lartë dhe ndërtimin e komplekseve studentore për të ulur kostot e qirasë.

Rishikim i ligjit për arsimin e lartë

Në një takim me 40 rektorët e universiteteve në vend, kryeministri Edi Rama deklaroi se ka ardhur koha për të rishikuar ligjin për arsimin e lartë. Sipas tij, pas një periudhe të mjaftueshme zbatimi, ligji aktual ka nevojë për korrektime që reflektojnë ndryshimet e kohës dhe përvojën praktike të universiteteve. Rama theksoi se procesi nuk do të jetë një përmbysje e ligjit ekzistues, por një rishikim i kujdesshëm me kontributin e rektorëve, të cilët do të përfshihen në një grup të përbashkët pune.

 

“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë. Ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar mbi ndryshimet e kohës dhe konstatimet e praktikës. Nuk bëhet fjalë për përmbysje, por për korrektime, dhe ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim me ju”, u shpreh kryeministri.

 

Kampus studentor në Tiranë dhe Durrës

Kryeministri njoftoi gjithashtu se përveç kampusit universitar në Tiranë, do të ndërtohet edhe një kampus në Durrës, ku do të strehohen edhe studentë nga kryeqyteti. Sipas Ramës, ky projekt synon të adresojë një nga problemet kryesore të studentëve, atë të qirave të larta në Tiranë dhe Durrës.

 

Ai sqaroi se është hapur procesi për kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe se ekziston potencial për krijimin e infrastrukturës së rezidencave studentore. Rama theksoi se, me vënien në funksion të linjës hekurudhore, lëvizja mes Tiranës dhe Durrësit do të jetë e thjeshtë, duke u mundësuar studentëve të strehohen në kampusin e Durrësit.

 

Ndërkombëtarizimi dhe financimi i universiteteve

Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te sfida e ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe racionalizimi i burimeve. Ai vlerësoi ndryshimet e ndodhura në qasjen e universiteteve ndaj financimit, duke theksuar se Universiteti i Tiranës ka rritur ndjeshëm kapacitetet e tij financuese përmes projekteve dhe partneriteteve evropiane, jashtë buxhetit të shtetit.

 

Rama nënvizoi se volumi i financimit dhe i projekteve të miratuara nga Bashkimi Evropian për Universitetin e Tiranës është rritur çdo vit, duke krijuar mundësi të reja për rritjen e të ardhurave të pedagogëve dhe për forcimin e kapaciteteve akademike. Sipas tij, universitetet janë aleati më i rëndësishëm i institucioneve të vendit në procesin e anëtarësimit në BE dhe duhet të përgatiten për një sistem më konkurrues, të besueshëm dhe të përshtatur me standardet evropiane.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat